Ministre

                                                  

       Hykmete Bajrami

         Ministre e Financave 

 

Znj. Hykmete N. Bajrami,  më 03 qershor 2020 është emëruar ministre në Ministrinë e Financave dhe Transfereve, ndërsa para se të emërohej në këtë pozitë nga 03 shkurt 2020  ka qenë në pozitën e Ministres  së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit. Nga viti 2014 deri më 2017 ajo ka shërbyer si ministre e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë.

 

Që nga viti 2010 zonja Bajrami është zgjedhur si deputete e LDK-së në Kuvendin e Republikës së Kosovës në katër legjislatura. Gjatë angazhimit si deputete, znj. Bajrami ka qenë anëtare e disa Komisioneve Parlamentare, si: Komisioni për Buxhet dhe Financa dhe Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal.

 

Që nga viti 2007, znj.Bajrami ishte pjesë aktive e Këshillit të Ekspertëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku fokus kryesor në kontributin e saj ishin çështjet ekonomike. Znj. Bajrami ka përvojë shumëvjeçare në organizata dhe institucione të rëndësishme ndërkombëtare dhe vendore. Në periudhën 2000-2002, ajo ka punuar në Departamentin e Tregtisë dhe Industrisë - Shtylla IV e BE/UNMIK-ut. Pastaj, gjatë periudhës 2003-2007, ajo punoi në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit, për të vazhduar në Agjencinë  Suedeze për Zhvillim dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar, deri në vitin 2009. Në vitin 2010, znj. Bajrami ka qenë këshilltare e Bankës Botërore, për Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

 

Znj. Bajrami, studimet themelore i ka përfunduar në vitin 2000, në Fakultetin Ekonomik, Universiteti i Prishtinës, drejtimi Menaxhment dhe Informatikë, ku ka qenë bursiste e fondacionit “Xhavit Ahmeti” dhe e shpërblyer me çmimin “Studente e dalluar” nga Universiteti i Prishtinës. Studimet e magjistraturës i përfundoi në Staffordshire University, në Angli, në vitin 2003, si bursiste e “OSI-FCO-Staffordshire University”. Në vitin 2011, ajo ka përfunduar studimet e doktoratës, në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti Ekonomik. Znj. Bajrami është pjesë e stafit akademik të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, nga viti 2004. Është autore e një sërë punimesh akademike dhe artikujve shkencorë të publikuara në revista të ndryshme ndërkombëtare.   

 

Znj. Bajrami është e martuar, nënë e dy vajzave.