Lajmet

Qeveria e Kosovës miraton Rishikimin e Kornizës Afat-Mesme të Shpenzimeve për periudhën 2021 – 2023

14/09/2020

Qeveria e Kosovës, në mbledhjen e 30-të, aprovoi rishikimin e Kornizës Afat-Mesme të Shpenzimeve për periudhën 2021 – 2023, i cili dokument është hartuar nga Ministria e Financave në bashkëpunim me organizatat buxhetore, me qëllim të reflektimit të ndryshimeve në treguesit kryesorë ekonomikë, si pasojë e situatës pandemike COVID-19.

Ministrja e Financave Hykmete Bajrami gjatë prezantimit para Kabinetit Qeveritar, ka theksuar se dokumenti i KASH-it ishte hartuar në muajin prill të 2020-ës duke u bazuar në situatën socio-ekonomike të vështirësuar nga pandemia. Ajo shtoi se treguesit kryesorë ekonomikë përgjatë muajve të fundit evidentojnë se pritjet për fundin e vitit 2020 ndryshojnë dukshëm në krahasim me periudhën gjatë të cilës u përgatit KASH-i fillestar, prandaj, potencoi ajo, duke marrë parasysh rëndësinë e KASH-it në orientimin e përgatitjes së Buxhetit për vitin 2021, MF-ja ka vendosur që për herë të parë të rishikojë KASH-in.

 

Znj. Bajrami nënvizoi se KASH 2021-2023 është i strukturuar në katër pjesë kryesore, ku përfshihen: Deklarata Afatmesme e Prioriteteve (e cila përmban prioritetet dhe dokumentet strategjike të qeverisë sikurse Strategjia Kombëtare për Zhvillim dhe Programi për Reforma në Ekonomi); korniza makro-fiskale e cila përmban parametrat e përgjithshëm të zhvillimit ekonomik të vendit tonë; dhe në pjesën e tretë dhe të katërt janë paraqitur parashikimet fiskale të cilat përcaktojnë kufijtë e përgjithshëm të shpenzimeve mbi bazën e të cilëve përgatitet më vonë Buxheti Qendror dhe ai Komunal.