27/03/2020
Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës,
Me kalimin e ditëve dhe javëve, pandemia COVID-19 përtej ndikimit të saj si krizë shëndetësore ka filluar të etablohet edhe si krizë e tregjeve dhe ekonomive të shumicës së shteteve, përfshirë këtu edhe vendin tonë. Duke qenë se njohuria kolektive për virusin Corona është në krijim e sipër, edhe qeveria e Kosovës po detyrohet që në masë të madhe të ndjek veprimet e vendeve tjera, me të vetmin synim, që të mbajë nën kontroll përhapjen e infeksionit. Si rezultat, ne kemi mbyllur çerdhet, shkollat e universitetet ende pa u paraqitur as edhe një rast i vetëm me infeksion. Po ashtu, në vazhdimësi janë marrë masa të kufizimit të veprimit në mënyrë që të mund të respektohet nevoja e mbajtjes së distancës fizike, si dhe qytetarët janë lutur që të qëndrojnë brenda shtëpive e banesave të tyre. Falë këtyre vendimeve dhe respektimit të tyre, ne kemi arritur në masë të madhe të mbrojmë shëndetin e qytetarëve tanë, e para së gjithash të të moshuarve brenda nesh.
Këto kufizime, bashkë me ato të vendosura nga vendet e regjionit dukshëm kanë ngadalësuar ritmin e prodhimit dhe ofrimit në treg të mallrave dhe shërbimeve. Krahas ndikimit negativ në ofertën agregate, njëkohësisht është ndikuar edhe në kërkesën e përgjithshme për mallra dhe shërbime. Nuk ka nevojë këtu të lëshohemi në analizë teorike për kanalet përmes të cilave është ndikuar në agregatet e sipër përmendura, por mjafton të konstatojmë se rënia e aktivitetit ekonomik është reflektuar në masë të caktuar në tri kategori kryesore ekonomikë: qytetarët (qoftë në rolin e tyre si realizues të ardhurash, qoftë në rolin e konsumatorit final), komuniteti i biznesit, dhe kapaciteti buxhetor i shtetit. Që të tri këto kategori po kalojnë nëpër një përkeqësim të situatës, në disa raste përkohësisht e në disa edhe në afat më të gjatë. Rrjedhimisht edhe diskutimi për masat që do duhej ndërmarrë në ballafaqim me pandeminë dhe ndikimin e saj në ekonomi duhet të adresojnë nevojat dhe qëndrueshmërinë e këtyre tri kategorive, me synim që humbjet në prodhimin e mallrave dhe shërbimeve që në fakt janë ulje e mirëqenies të ndahen sa më barabartë mes gjithë akterëve të shoqërisë.
Qeveritë e vendeve të rajonit por edhe më gjerë kanë filluar të dalin me ide për masat që do duhej ndërmarrë në këtë drejtim, por gjithnjë duke konsideruar karakteristikat e ekonomive të tyre dhe shpërndarjes së të ardhurës kombëtare, hapësirave buxhetore për ndërhyrje me masa fiskale, si dhe instrumentet monetare në dispozicion (në varësi të veçorive dhe instrumenteve në dispozicion). Në këtë rrafsh, vendi ynë i nënshtrohet limitimeve nga më problematiket:
Në pakon e masave emergjente që Qeveria e Republikës së Kosovës ka përgatitur si hap të parë adresimin e problemeve ekonomike të rezultuara nga pandemia, janë përfshirë veprime dhe intervenime që kanë për synim ndihmesën imediate për qytetarët tanë në ato role apo funksione që ata janë dëmtuar nga pandemia (si përfitues të skemave sociale nga shteti, konsumatorë, punëmarrës, qiramarrës apo punëdhënës). Synimi i masave nuk është dhe as nuk mund të jetë kompensimi i të gjitha efekteve negative, meqë diçka e tillë është e pamundur kur aktiviteti ekonomik në nivelin agregat shënon rënie, por orientohet drejt minimizimit të dëmeve të shkaktuara.
Më poshtë gjeni kompozimin e pakos emergjente të qeverisë:
Shuma e përgjithshme e kësaj pakoje emergjente arrin në 170.6 milionë euro, dhe me siguri se do të duhet të mbështetet edhe me një pako shtesë të stimulimit fiskal dhe monetar, por me një ndikim afatmesëm në ekonomi. Synimi i pakos tjetër të ndërhyrjes do të jetë ringjallja sa më e shpejtë e ekonomisë, rritja e prodhimit dhe punësimit. Në fazën e dytë pjesa më e madhe e ndërhyrjes do të marrë karakter monetar dhe do të përfshijë skemën e garantimit të kredive, dhe mbështetje të kredidhënies për sektorë të caktuar të ekonomisë.
Qeveria e Republikës së Kosovës, përmes Ministrisë së Financave është duke punuar intenzivisht në gjetjen e burimeve shtesë të financimit. Përveç alokimit fillestar të shumës prej 10 milionë eurosh për Ministrinë e Shëndetësisë, është duke u negociuar edhe financim shtesë nga Banka Botërore (deri në masën e 70 milionë eurove). Po ashtu është dorëzuar kërkesa në FMN për kredimarrje nga instrumenti i shpejtë financiar në masën e 52 milionë eurosh; është kërkuar kredi në shumën e 35 milionë eurove nga Banka Zhvillimore e Këshillit të Evropës; është dërguar kërkesë zyrtare për mbështetje në Ministrinë Gjermane Për Zhvillim e Bashkëpunim; dhe është premtuar mbështetje edhe nga Bashkimi Evropian.
Krejt në fund Qeveria e Republikës së Kosovës dëshiron të sigurojë secilin qytetar që është duke bërë maksimumin e saj për të mbajtur nën kontroll si dëmtimin e shëndetit të qytetarëve ashtu edhe atë të ekonomisë.