Lajmet

Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi priti në takim shefen e Zyrës së BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova

12/02/2020

Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi ka pritur në takim njohës shefen e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) dhe përfaqësuesen speciale të BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, me të cilën diskutuan për mundësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, me theks të veçantë në ndihmën që BE bënë për Ministrinë e Financave dhe Transfereve dhe përdorimin e duhur të kësaj ndihme nga institucionet.

Ministri Besnik Bislimi falënderoi Ambasadoren Apostolova për vizitën dhe e njoftoi për prioritetet e Ministrisë së Financave dhe Transfereve gjatë këtij mandati 4 vjeçar të Qeverisë. Ai  gjithashtu shprehi gatishmërinë e tij dhe të institucionit që drejton për thellimin e bashkëpunimit me institucionet e BE-së, në realizimin e projekteve të përbashkëta sidomos atyre që janë në funksion të përmirësimit të mirëqenies së qytetarëve.

Ambasadorja Apostolova ka uruar Ministrin Bislimi për emërimin e tij, dhe tha se zyra e saj pret një bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Financave, duke pasur parasysh rolin e saj qendror. Ajo shtoi se stabiliteti makro-ekonomik dhe fiskal si dhe qeverisja ekonomike, janë kritere kryesore për rrugën evropiane të Kosovës, e ndjekur nga BE-ja përmes Programit të Reformës Ekonomike dhe dialogut ekonomik midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor, në të cilin Kosova merr pjesë.