Lajmet

Ministri Bedri Hamza priti në takim drejtorin menaxhues për ekonomi, politikë dhe qeverisje në BERZH Mattia Romani

18/11/2019

Ministri i Financave Bedri Hamza ka pritur sot në takim drejtorin menaxhues për ekonomi, politikë dhe qeverisje në Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim Mattia Romani, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin që kanë institucionet e Kosovës me BERZH-in, qoftë në implementimin e projekteve të infrastrukturës dhe asistencës teknike të sektorit publik, gjithashtu edhe atyre në sektorin privat.

Në këtë takim u bë e ditur se portfolio e investimeve me BERZH-in kap vlerën 307 milionë euro, pjesa dërmuese e kësaj vlere investohet në infrastrukturën publike, nga të cilat disbursime janë diku 193 milionë euro në sektorin publik dhe atë privat.

Me këtë rast, Ministri Hamza vlerësoj lartë që tashmë BERZH-i ka kaluar financimin e projekteve për Kosovën nga projektet e infrastrukturës së transportit në sektorin e ambientit, ujitjes dhe energjisë, si sektorë të nevojshëm për investime.

Në anën tjetër drejtori menaxhues për ekonomi, politikë dhe qeverisje në BERZH Mattia Romani, shprehu gatishmërinë e institucionit të tij për vazhdim të bashkëpunimit dhe të ndihmës ndaj Kosovës edhe më tutje, qoftë përmes asistencës teknike, apo përmes financimit të projekteve me rëndësi për qytetarët dhe institucionet e Kosovës.

Të dyja palët vlerësuan se vetëm me ndërtim të partneriteteve si ky mes Ministrisë së Financave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Kosova mund të implementojë reforma strukturore për zhvillim të qëndrueshëm.