Lajmet

Ministria e Financave lasnon për publikun Portalin e Transparencës

04/12/2018

Ministria e Financave në bashkëpunim me Projektin për Reformën e Financave Publike në Kosovë, të implementuar nga Bashkëpunimi Zhvillimor Gjerman (GIZ) në emër të Ministrisë Federale për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, ka lansuar sot për publikun “Portalin e Transparencës”, i cili nga të pranishmit u cilësua si një ndër projektet më të rëndësishme të realizuara për transparencën buxhetore, jo vetëm në vend, por edhe më tej.

Me këtë rast, ministri i Financave Bedri Hamza theksoi se Transparenca buxhetore është ndër qëllimet parësore të Ministrisë së Financave, andaj stafi i Ministrisë së Financave në vazhdimësi punon që të avancojë transparencën dhe llogaridhënien buxhetore, si një ndër parakushtet kryesore për ngritjen e efikasitetit të menaxhimit të financave publike. 

“Ne në vazhdimësi kemi bërë avancime për transparencën karshi opinionit publik, me theks të veçantë për menaxhimin e parasë publike. Fillimisht është bërë raportimi publik përmes Raporteve Tremujore dhe mujore pastaj kemi vazhduar edhe me publikimin e Serive Kohore Fiskale. Ndërsa vitin 2018 ne si Ministri e Financave po e përmbyllim edhe me një projekt shumë më të avancuar dhe inovativ për sa i përket transparencës buxhetore të Kosovës”, shtoi ministri Hamza.

Ai gjithashtu vlerësoi lartë punën dhe përkushtimin e Zyrës për Komunikim Publik në Ministrinë e Financave  dhe mbështetjen e shtetit gjerman përmes GIZ-it, ku sipas tij e bënë të munduar që sot të lansohet për publik Portali i Transparencës, përmes të cilit për herë të parë do të kenë qasje në të dhënat e Buxhetit të shtetit jo vetëm qytetarët e Kosovës por edhe të gjitha organizatat buxhetore, qoftë të nivelit qendror apo atij lokal.

Sipas tij, me lansimin e sotëm të Portalit të Transparencës, hapet një dritare informative shumë e nevojshme për buxhetin e shtetit, ku informatat do të jenë të qasshme në formë analitike dhe krahasueshmërie.

“Ne si Ministri e Financave jemi duke parë mundësinë e avancimit dhe zgjerimit edhe më tutje të këtij sistemi në ofrimin  e qasjes direkte për të gjithë studiuesit në Kosovë në buxhetin e shtetit për të bërë analiza studimore në krijimtarinë e tyre por pa e prekur apo ndryshuar strukturën buxhetore”, shtoi Ministri Hamza.

 

Ministri Hamza shfrytëzoj rastin që të falënderoj Qeverinë gjermane, që përmes GIZ-it e ka mbështetur financiarisht këtë projekt, por edhe projekte të tjera të cilat ndikojnë në avancimin e menaxhimit të financave publike, si dhe në mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës. 

Ndërsa, ambasadori gjerman në Kosovë Christian Heldt tha se Qeveria Gjermane nëpërmjet Projektit për Reformën e Financave Publike në Kosovë të implementuar nga GIZ ka mbështetur Ministrinë e Financave në fuqizimin e transparencës së proceseve buxhetore me anë të publikimit të Informatorit për Qytetarë në vitin 2017 dhe 2018, dhe duke vazhduar me versionin më të sofistikuar që është Portali i Transparencës i cili përmban të dhëna për vitet 2015, 2016, 2017, 2018.

Sipas ambasadorit gjerman Heldt , lansimi i këtij portali është një hap shumë i rëndësishëm drejt një politike fiskale më të demokratizuar dhe më llogaridhënëse. 

“Vendimet në politikën fiskale kanë ndikim tek të gjithë dhe përcaktojnë të gjitha aspektet duke filluar nga ajo se kush paguan tatime dhe sa të larta janë ato tatime, e deri te shërbimet qenësore publike si shkollat dhe spitalet apo kapaciteti i institucioneve publike për të vepruar lidhur me sfidat globale si varfëria, ndryshimet klimatike, etj. Prandaj transparenca fiskale është komponentë e rëndësishme për qeverisjen e mirë ngase ndihmon në arritjen e stabilitetit fiskal dhe ekonomik dhe është e rëndësisë kruciale për të mundësuar pjesëmarrjen publike nëpërmjet debatit të mirë-informuar për ndikimet e politikës fiskale”, shtoi ambasadori gjerman Heldt.   

Ai gjithashtu theksoi se teknologjitë digjitale të përdorura nga Qeveria kanë potencialin për të transformuar mënyrën se si paraja publike organizohet, si qarkullohet dhe si përdoret nga shoqëria, gjë që mund të formësojë karakterin e debatit publik, angazhimit demokratik, llogaridhënies dhe participimit publik në vendim-marrjen për fondet publike.

“Lansimi i Portalit të Transparencës sot nga ana e Ministrisë së Financave i bën informatat për buxhetin lehtësisht të lexueshme duke u siguruar se informatat për rrjedhën e resurseve publike janë të qasshme në një format të kuptueshëm edhe për audiencën që nuk i përkasin grupeve të specializuara në këtë fushë”, shtoi ambasadori Heldt.  

 

                                                                    ********

 

Ju lutem gjeni më poshtë linkun e Portalit të Transparencës së Ministrisë së Financave:

https://ptmf.rks-gov.net/