Lajmet

Ministri i Financave Bedri Hamza dorëzon Programin për Reforma në Ekonomi 2018-2020 në Zyrën e Komisionit Evropian

31/01/2018

Fjalimi i Ministrit të Financave Bedri Hamza me rastin e dorëzimit të Programit për Reforma në Ekonomi 2018-2020 në Zyrën e Komisionit Evropian

E nderuara Znj. Apostolova,

  • Kam kënaqësinë e veçantë që në emër të Ministrisë së Financave t’ju dorëzoj Programin e përditësuar të Kosovës për Reforma në Ekonomi 2018-2020, të miratuar nga Qeveria e Kosovës më 26 Janar 2018.
  • Programi i reformave edhe këtë vit u përmbahet plotësisht instruksioneve dhe kritereve për analizë rigoroze të përcaktuara nga Komisioni Evropian.
  • Për herë të parë, ky program është hartuar me pjesëmarrje të drejtpërdrejtë të palëve me interes nga shoqëria civile dhe komuniteti i bizneseve, duke u bazuar në një proces gjithëpërfshirës të konsultimeve. Po ashtu, edhe institucionet e pavarura publike kanë dhënë kontribut të drejtpërdrejt në azhurnimin e këtij programi.
  • Institucionet tona kanë punuar me përkushtim të lartë që mbi bazën e evidencës të identifikohen nevojat dhe veprimet për adresimin e pengesave strukturore të ekonomisë. Në të njëjtën kohë, kemi raportuar në mënyrë objektive mbi performancën e reformave gjatë vitit 2017.
  • Jemi plotësisht të vetëdijshëm se na pret një rrugë e gjatë e transformimit për të arritur konvergjencë me anëtarët e Unionit.
  • Përsosja e ekonomisë së tregut kërkon reforma afatgjate të cilat krijojnë një ambient për rritje të produktivitetit dhe gradualisht zhvillojnë aftësinë e ekonomisë për t’u përballur me konkurrencën e një tregu të vetëm evropian.
  • Drejt këtij rrugëtimi, gjithsesi, hapi i parë është planifikimi më i mirë strategjik, që siguron se burimet tona të kufizuara shfrytëzohen në mënyrën më efektive të mundshme.
  • Prandaj, programi për reforma në ekonomi është platformë që na mundëson përsosjen e planifikimit strategjik buxhetor dhe politik dhe mundëson efektivitet më të lartë të qeverisjes sonë.
  • Në azhurnimin e vitit 2018, programi ka konkretizuar më tej masat e mëhershme dhe i ka sjellë ato në linjë me dokumentet e fundit strategjike, duke përfshirë edhe Programin e Qeverisë 2017-2021.
  • Fokusi kryesor është vendosur në përmirësimin e ambientit rregullator, adresimin e boshllëqeve në infrastrukturën publike, orientimin e shpenzimeve për sektorët prioritar (rendit, edukimit, dhe shëndetësisë), të gjitha këto me një fokus të qartë në krijimin e kushteve për zhvillim të udhëhequr nga sektori privat.
  • Ambienti makroekonomik, për dallim nga viti i mëhershëm, është më i favorshëm, dhe ofron mundësi të mirë që mundësitë fiskale t’i drejtojmë nga reformat afatgjata. Rritja ekonomike pritet të tejkalojë 4.5%, ndërsa stoku i borxhit po rritet me kujdes, kryesisht përmes kredive koncesionare. Rreziqet janë të balancuara.   
  • Mbi këtë kontekst, është shumë inkurajues fakti që në rrugëtimin tonë të reformave nuk jemi të vetëm. Përmes dialogut ekonomik që e pason këtë program, ne presim që të përfitojmë edhe më tej nga ekspertiza dhe inputi i Komisionit.
  • Unë dua të shfrytëzoj rastin që në këtë rast të falënderoj edhe asistencën teknike të ofruar përmes projekteve nga Komisioni dhe USAID për stafin tonë civil, që ka dhënë kontribut të rëndësishëm në hartimin e këtij dokumenti.
  • Prandaj, më lejoni edhe njëherë të ju falënderoj për bashkëpunimin e vazhdueshëm gjatë procesit të hartimit, dhe si koordinator nacional i këtij programi, pres dialog konstruktiv mbi përmbajtjen e tij në muajt në vijim.
  •  

Ju faleminderit!