Lajmet

Kosova dhe BERZH-i nënshkruajnë marrëveshjen për ndërtimin e autostradës Prishtinë-Pejë në vlerë 71 milionë euro

18/12/2017

Ministri i Financave Bedri Hamza dhe drejtoresha për Transport e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim (BERZh) Sue Barrett kanë nënshkruar sot Marrëveshjen për Hua për Ndërtimin e segmentit të rrugës Kijevë – Zahaq të Autostradës Prishtinë – Pejë ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Me këtë rast ministri Bedri Hamza tha se “Kam kënaqësinë e veçantë që sot në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës bashkë me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim të nënshkruajmë marrëveshjen financiare në vlerë  prej 71 milionë euro, Marrëveshje e cila është e dedikuar për financimin e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore dhe ekonomike në vendin tonë”.

“Bëhet fjalë për financimin e rrugës Prishtinë – Pejë, konkretisht segmentin Kijevë – Zahaq, që do të jetë një rrugë e cila e lidhë një pjesë të madhe të territorit të Kosovës me kryeqytetin e Republikës së Kosovës Prishtinën, me Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, por i jep Kosovës edhe qasje në korridoret ndërkombëtare dhe e lidhë Kosovën me Malin e Zi, gjithashtu me rrugën 6 në drejtim të Shkupit dhe korridore të tjera ndërkombëtare”, shtoi Ministri Hamza.

Ai bëri të ditur se “Pas një pune jashtëzakonisht dinamike dhe shumë të suksesshme, për çka dëshiroj që ta falënderoj stafin e BERZH-it, stafin e Ministrisë së Financave dhe stafin e Ministrisë së Infrastrukturës që kanë punuar jashtëzakonisht shumë deri në finalizimin e kësaj Marrëveshje. Ne sot e konkretizuam këtë Marrëveshje për një projekt që e ka vlerën prej 193 milionë euro”.

Ministri Bedri Hamza gjithashtu bëri të ditur se “komponentat e financimit të këtij projekti janë: 71 milionë euro nga BERZh, 80 milionë euro nga Banka Evropiane për Investime, që jemi në negociata pothuajse në fazën përfundimtare, ku gjatë vizitës sime në Luksemburg kemi  konkretizuar pjesë edhe të kësaj marrëveshje dhe presim që në pjesën e parë, në tremujorin e parë të vitit 2018 ta nënshkruajmë. 38 milionë euro do të jenë financim nga Qeveria e Republikës së Kosovës, 3.2 milionë euro janë grant, para falë nga Korniza Investive e Ballkanit Perëndimore dhe 600 mijë euro janë nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim”.

“Kredia është me kushte jashtëzakonisht të volitshme, ku norma e interesit është 1% plus Euribor, maturiteti është 12 vjeçar dhe 3 vite janë grejs periudhë, d.m.th është një Kredi për financimin e një projekti i cili do të kontribuon në zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe krijimin e kushteve të mira edhe për bizneset, por edhe për qytetarët që kalojnë në këtë rrugë, por është edhe me kushte shumë të favorshme me një normë të interesit 1% plus Euribor dhe me një grejs periudhë prej 3 vite”, shtoi Ministri Hamza.

Ministri Bedi Hamza tha se është i  sigurt që përmes këtij nënshkrimi të kësaj Marrëveshje për realizimin e këtij projekti, konfirmohet edhe një herë qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për realizimin e projekteve madhore kapitale, të cilat pastaj reflektojnë në arritjen e aspiratave tona  për integrimin evropian dhe gjithashtu për një zhvillimi sa më të qëndrueshëm ekonomik.

“Dhe në fund dëshiroj të falënderoj edhe një herë BERZH-in, falënderoj të gjithë ata që janë pjesë e këtij projekti dhe jam i bindur që Ministria e Infrastrukturës në një kohë shumë të shpejtë do ti përfundon të gjitha procedurat dhe ne të shohim realizimin e këtij projekti në terren atje ku realisht kryhet puna”, shtoi Ministri Hamza.

Drejtoresha për Transport e Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim Sue Barrett theksoi se

BERZH-i ka kënaqësinë që ta nënshkruaj këtë Hua 71 milionëshe me Kosovën dhe janë të lumtur që mbështesin zhvillimin infrastrukturorë në Kosovë dhe në përgjithësi në Ballkanin perëndimor në funksion të rritjes ekonomike.

“Siç e tha edhe Ministri Hamza, kjo Hua jepet për financimin e vazhdimit të rrugës nga Kijeva në drejtim të Pejës që është pjesë e rrjetit gjithëpërfshirës të Ballkanit perëndimor pjesa e rrugës 6B. Dhe ndërtimi i këtij rrjeti rrugor është me rëndësi për lidhjet e qyteteve të Kosovës, njëkohësisht për lidhjen e Kosovës me Malin e Zi”, shtoi drejtoresha Sue Barrett.

Ajo gjithashtu bëri të ditur se “Ne gjithashtu jemi të kënaqur se si pjesë e këtij bashkëpunimi ne kemi arritur Marrëveshje të bashkëpunimit edhe me Bankën Investive Evropiane. Dhe Banka Investive Evropiane do të jetë e gatshme të nënshkruajë Marrëveshje deri në 80 milionë, varësisht prej zhvillimeve të projekteve të këtyre rrjeteve. Gjithashtu do të jepet një asistencë në formë të grantit në shumën  3.8 milionë euro që ndërlidhet këtë projekt. 3.2 milionë euro janë dhënë për studimin e fizibilitetit, për studimet paraprake dhe njëkohësisht edhe për dizajnin e rrugës.  Gjithashtu BERZH-i do të jap edhe 600 mijë për zbatimin e këtij projekti dhe gjithashtu për zbatimin e disa masave të tjera kyçe”.

“Nënshkrimi i kësaj Marrëveshje të sotme nënkupton që BERZH-i ka nënshkruar Marrëveshjen e tretë në sektorin e rrugëve në Kosovë dhe Huadhëniet në sektorin rrugore tashmë kanë arritur në nivelin  e 120 milionë eurove. Me këtë rast dua të falënderojë shkëlqesinë e tij Ministrin e Financave Hamza dhe gjithashtu shkëlqesinë e tij Ministrin e Infrastrukturës Lekaj, si dhe ekipet respektive me të cilët kemi bashkëpunuar në Ministrinë e Financave dhe në Ministrinë e Infrastrukturës”, tha drejtoresha për Transport e BERZh-it Sue Barrett.

Ndërsa, ministri i Infrastrukturës Pal Lekaj tha se kjo është një ditë e veçantë për Kosovën, që  nënshkruam një Marrëveshje me BERZh-in që të financohet një segment rrugor që i lidhë korridoret, por që ka impakt pozitiv edhe në zhvillimin ekonomik të vendit.

Ai me këtë rast falënderoi  Ministrin e Financave për korrektësinë, për saktësinë dhe për atë që sipas tij e ka premtuar dhe sot po e realizojmë. Gjithashtu falënderoj edhe zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Infrastrukturës për punën profesionale dhe që në kohën më të shkurtë të mundshme kanë ofruar këtë Marrëveshje.

“Ajo që mund të them është se ne zotohemi se nuk do të kemi stërzgjatje dhe nuk do të ketë pengesa sa i përket zhvillimit të këtij projekti që është me rëndësi të veçantë dhe do ta përfundojmë në kohën më të shpejtë të mundshme dhe ta heqim prej hartës si rrugë të papërfunduar këtë rrugë, këtë segment rrugorë të Autostradës Prishtinë – Pejës që është stërzgjatur diku 10 vite”, shtoi Ministri Lekaj.

Ministri Pal Lekaj tha se ne jemi të hapur si Ministri por edhe si Qeveri, edhe për projekte të tjera që kanë impakt pozitiv në zhvillimin ekonomik por edhe në lidhje të korridoreve  dhe gjithashtu u zotua edhe para Bankës Evropiane për Zhvillim dhe nuk do të ketë stërzgjatje të këtij projekti dhe se do ti kryejmë obligimet tona. Sipas tij do të ketë një njësit profesional që do të implementojë këtë projekt në kohën më të shkurtë të mundshme.