Lajmet

Ministria e Financave nga një janari 2018 do të aplikojë masa të reja lehtësuese për prodhuesit vendor

17/12/2017

Ministria e Financave njofton opinionin e gjerë përkatësisht të gjithë prodhuesit vendor, se janë finalizuar të gjitha procedurat ligjore për fillimin e implementimit të vendimeve për lirimin nga tatimi doganor dhe i akcizës për të gjitha subjektet e regjistruara si prodhues pranë Administratës Tatimore të Kosovës.

Prandaj, duke filluar nga data 01 janar 2018, të gjithë prodhuesit të cilët importojnë vet apo përmes kontraktorëve do të lirohen nga Tatimi doganor, për  lëndën e parë, gjysëm produktin, linjat e prodhimit, pajisjet e teknologjisë informative si dhe më pas do të lirohen nga Tatimi i akcizës të gjitha produktet të cilat marrin pjesë si lëndë ndihmëse në procesin e prodhimit.

Gjithashtu njoftojmë bizneset prodhuese se këto janë vetëm masat e para për këta tre muaj të mandatit Qeveritar, përkatësisht mandatit të Ministrit  të Financave.

Ministri i Financave Bedri Hamza, është deklaruar shumë herë publikisht se priroritet i jonë është zhvillimi i sektorit privat dhe se ky sektor do të jetë bartës i zhvillimit ekonomik, ku përmes rritjes së zhvillimit ekonomik dhe luftimit të informalitetit do të kemi trajtim të barabartë për të gjitha bizneset. Masat e ndërmarra do të ndikojnë në realizimin e të hyrave bugjetore siç është paraparë edhe në Buxhetin e vitit 2018.

Gjithashtu, Ministria e Financave njofton opinionin se nuk do të ketë asnjë tatim të ri, nuk do të ketë rritje të tatimeve ekzistuese, por MF-ja do të vazhdojë me masa të reja fiskale dhe lehtësuese për biznesin  në fillim të vitit të ri 2018, ku janë paraparë ndryshime dhe plotësime të legjislacionit tatimor siç janë, Ligji për Procedurën dhe Administratën Tatimore, Ligji për Tatimin në  Korporata, Ligji për TVSH-në, Ligji në të Ardhura Personale duke përfshirë edhe Kodin e Doganave dhe Akcizave. Në thjeshtimin e procedurave për nxjerrjen e dokumentacionit, do të ketë shkurtim të kohës dhe procedurave burokratike të kthimit të TVSH-së, shtyrje të TVSH-së në lëndë të parë me rastin e blerjes e cila prodhohet në Kosovë, kontrolla të thjeshtësuara dhe të përbashkëta ATK - Doganë, eliminim të kontaktit fizik të inspektorëve me tatimpagues dhe do të ketë zhvillim të sistemit të TI-së për komunikim të ATK-së dhe Doganës me tatimpaguesit. Do të ketë edhe shumë ndryshime tjera me qëllim që prodhuesit tanë të jenë konkurrentë  si brenda po ashtu edhe jashtë vendit.

Ministria e Financave gjithashtu njofton se asnjë ndryshim nuk do të ndodhë pa pëlqimin e Komunitetit të Biznesit, i cili është partner në vendimmarrje së bashku me Ministrinë e Financave.