Lajmet

Prezantohet vlerësimi i vëllimit të ekonomisë joformale në Kosovë

09/11/2017

“Ministria e Financave dhe Agjencitë e saja tatim-mbledhëse kanë ndërmarrë dhe vazhdojnë të ndërmarrin veprime konkrete që ndikojnë mjaft në formalizmin e aktiviteteve të biznesit “, tha ministri i Financave Bedri Hamza në takimin e sotëm të organizuar nga Ministria e Financave dhe Zyra e BE-së në Kosovë, përmes projektit të financuar nga BE-ja “Mbështetja e mëtejme për institucionet e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe ekstremizmit të dhunshëm”, ku u prezantua Vlerësimi i vëllimit të ekonomisë joformale në Kosovë.

Me këtë rast, ministri i Financave Bedri Hamza  e vlerësoi jashtëzakonisht shumë punën që është bërë, për të vazhduar me vlerësimin e kohëpaskohshëm të prezencës së fenomenit të ekonomisë jo-formale në vendin tonë.

Për ne formalizmi i bizneseve dhe aktiviteteve të tyre ka qenë dhe mbetet një nga prioritetet e agjendës sonë, dhe publikimi i këtij raporti do të na shërbej mjaft në identifikimin dhe disenjimin e veprimeve konkrete që ndikojnë direkt në zvogëlimin  e informalitetit. Niveli relativisht i lartë i ekonomisë joformale, është sfidë për financat publike në njërën anë dhe dëmton konkurrencën e drejtë në treg, në anën tjetër. Për më shumë, punësimi jo-formal dhe shmangia sistematike nga pagesa e kontributeve për të punësuarit, janë duke dëmtuar në masë të madhe interesat e punëtorëve, kur e dimë që niveli i papunësisë është ende sfidë për ekonominë tonë ”, shtoi Ministri Hamza.

Ai gjithashtu theksoi se “Ne do të punojmë në azhurnimin dhe modifikimin e Strategjisë Kombëtare për Parandalimin e Ekonomisë Jo-formale, me qëllim të vendosjes së një mekanizmi më të mirë monitorues dhe implementues të masave për ngushtimin e hendekut tatimor”.

Ministri Bedri Hamza falënderoi Zyrën e BE-së në Kosovë për financimin e projektit  “Mbështetje e Mëtejshme Institucioneve të Kosovës, në aktivitete për zvogëlimin e ekonomisë jo formale”, për punën e bërë në ofrimin e këtij raporti vlerësues dhe rekomandimeve që do të na shërbejnë për hapat e mëtutjeshëm.

Ndërsa shefja  e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese Speciale e BE-së në Kosovë Nataliya Apostolova, theksoi se nuk mjafton luftimi i informalitetit vetëm në reforma në administratë. Sipas saj, reformat duhet të shtrihen edhe në gjyqësor në mënyrë që të bëhet më shumë në konfiskimin e pasurive të fituara përmes rrugëve të paligjshme.

“Luftimi i ekonomisë joformale është çështje me rëndësi për BE-në dhe është vështirë ta luftosh një armik pa e gjetur shkakun andaj jemi përkushtuar përmes raportit të gjejmë shkaktarët për luftimin e kësaj dukurie, mund të flasim për një zvogëlim të ekonomisë joformale në Kosovë dhe kjo është për shkak të reformave të marra nga MF-ja, gjegjësisht nga Dogana dhe ATK-ja që kanë bërë punë të mirë. Për luftimin e ekonomisë së zezë dhe joformale nuk mjaftojnë vetëm reformat e administratës, ne presim nga Qeveria e Kosovës zbatimin e ligjit dhe forcimin e gjyqësorit përmes konfiskimit t’u shkaktojmë dhimbje atyre që i paraprijnë kësaj dukurie”, tha Apostolova.

Në këtë prezantim morën pjesë ministri i Financave Bedri Hamza, shefja e Zyrës së BE-së/Përfaqësuese Speciale e BE-së Nataliya Apostolova, ministrja e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha, shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar në Kosovë Ruud Vermeulen, zëvendësguvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës Lulzim Ismajli, si dhe zyrtarë të lartë të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

Vlerësimi ndjek po të njëjtën metodologji si vlerësimet e mëhershme të bëra në 2007 dhe 2014, për të mundësuar krahasimin e të dhënave dhe për të nxjerr përfundime për trendët që lidhen me ekonominë joformale në Kosovë.