Lajmet

Ministri Murati dhe Ministrja Nagavci nënshkruajnë Memorandum Bashkëpunimi për kurse në Teknologji Informative

12/10/2021

Në vazhdën e politikave publike që synojnë zvogëlimin e hendekut në mes të kërkesave të tregut të punës dhe edukimit, Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve z. Hekuran Murati dhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit znj. Arbërie Nagavci kanë nënshkruar sot Memorandumin e Bashkëpunimit për zbatimin e masës 1.5 – Trajnimi dhe Punësimi në TI i Pakos së Ringjalljes Ekonomike.

Në bazë të këtij Memorandumi të Bashkëpunimit, maturantëve të shkollave të mesme do të u ndahen 2,000 kuponë me vlerë deri në 600 Euro për të ndjekur kurse të Teknologjisë Informative. Kriter kryesor për përfitim nga kjo masë do të jetë suksesi i lartë i nxënësit i treguar përgjatë studimeve.

 

Kjo nismë vjen si rezultat i kërkesës së tregut për profesionistë të fushës së Teknologjisë Informative, që po rritet paralelisht me zhvillimin e hovshëm e të vazhdueshëm teknologjik. Andaj, angazhimi i përbashkët i të dy Ministrive drejt mbështetjes së aftësimit të të rinjve mbetet thelbësor për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit.   

 

MFPT dhe MASHTI, në linjë me programin Qeverisës, mbesin të përkushtuar në rritjen dhe promovimin e mundësive për trajnim profesional dhe punësim tek të rinjtë.