Ministri

HEKURAN MURATI

Ministër i Financave, Punës dhe Transfereve

Hekuran Murati ka lindur më 7 nëntor 1987.

Studimet themelore universitare i përfundoi për Menaxhim Biznesi në Universitetin Amerikan në Kosovë, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu për Menaxhim të Investimeve në Hochschule Bremen & University of North Carolina Wilmington, me specializim në Financa Ndërkombëtare.  

Z. Murati ka përvojë të gjerë, sidomos si aktivist dhe analist i pavarur ku është shquar për aktivizmin dhe analizën e tij ndaj disa çështjeve të rëndësishme. Ndër të tjera, ai ka punuar në Ministrinë e Financave si Shef i Divizionit të Borxhit Publik, dhe pastaj si konsulent në Bankën Botërore. Poashtu, ka punuar edhe në Bankën Qendrore të Kosovës.

Në zgjedhjet e 6 tetorit të vitit 2019, z. Murati u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës. Përgjatë kësaj legjislature ai ka qenë Kryetar i Komisionit për Buxhet dhe Transfere, anëtar i Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike si dhe anëtar i Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.