Komunikatat për Media

Bizneset prodhuese në Kosovë lirohen nga tatimi doganor dhe tatimi i akcizës

28/04/2019

Ministria e Financave nga fillim viti i 2018-ës në çdo tre muaj të vitit ka marr vendim për lirim nga tatimi doganor dhe tatimi i akcizës për bizneset prodhuese në Kosovë. Këto lirime kanë të bëjnë me lëndën e parë, gjysmë produktet, linjat e prodhimit, pajisjet e TI-së, lëndët ndihmëse të cilat marrin pjesë në procesin e prodhimit dhe pjesët rezervë për linjat e prodhimit.

Më pas janë marr një varg reformash fiskale në Tatimin e Vlerës së Shtuar, ku përmes Ligjit i cili është në Parlamentin e Kosovës do të lirohen nga Tatimi i Vlerës së Shtuar lënda e parë që prodhohet në vendin tonë për prodhues, do të thjeshtëzohen procedurat e kthimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe çka është më thelbësorja që ndodh për herë të parë në vendet e rajonit tonë, fillimi i mbledhjes së TVSH-së nga kufiri në import në brendi të vendit.

Ministri i Financave Bedri Hamza gjithmonë e ka potencuar se bartës i zhvillimit ekonomik në Kosovë duhet të jetë sektori privat dhe mbi bazën e këtij parimi edhe të premten me datë 26 prill 2019 në Qeverinë e Republikës së Kosovës Ministri Hamza ka vazhduar me kërkesën për lirim nga tatimi doganor për shtazët të cilat importohen në vendin tonë. 

Gjatë analizave tona në Ministri të Financave kemi konstatuar se edhe në sektorin e bujqësisë përkatësisht te blegtoria, importimi i kafshëve duhet liruar nga tatimi doganor me qëllim që të ju mundësohet të gjithë qytetarëve dhe fermerëve që me kosto sa më të ulët të kenë  mundësi të importojnë  kafshë në vendin tonë me qëllim të zgjerim të kapaciteteve të tyre prodhuese.

Po ashtu, Ministri Hamza informoj Qeverinë se përveç lirimit nga tatimi doganor të kafshëve për disa kategori që e lejon Ligji i Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në fuqi, do të merr vendim për ta ulur Tatimin e Vlerës së Shtuar  nga shkalla 18 % sa është sot në shkallën e ulët 8 %, prapë me të vetmin qëllim që të ndihmojmë qytetarët tanë dhe fermerët që të importojnë kafshë në vendin tonë me kosto sa më të ulët.

Ministri Hamza e theksoi edhe njëherë se nuk do të ketë rritje të tatimeve ekzistuese dhe nuk do të ketë tatime të reja për qytetarët dhe bizneset në Kosovë, por do të ketë lirime dhe thjeshtëzim të procedurave.