Komunikatat për Media

Ministri Bedri Hamza: Me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2020-2022 përshpejtohet rritja ekonomike e vendit

27/04/2019

Ministri i Financave Bedri Hamza ka prezantuar në Qeveri të Republikës së Kosovës Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2020-2022, dokument që reflekton përkushtimin e Qeverisë sonë në adresimin e sfidave zhvillimore afatmesme.

Kosova vazhdon me sukses të ketë stabilitet makrofiskal ku si rezultat i kësaj Korniza Afatmesme e Shpenzimeve 2020-2022 është ndërtuar mbi skenar makroekonomik që parasheh përshpejtim të rritjes ekonomike në vend, e cila reflekton pritjet më optimiste për rritjen e eksporteve dhe investimeve. Në vitin 2020 rritja ekonomike reale pritet të jetë rreth 4.7%.

Sikur në vitin 2018 dhe 2019 edhe në vitet në vijim përkundër që do të kemi rritje të buxhetit nuk do të ketë ngarkesa për qytetarët e Republikës së Kosovës apo bizneset në Kosovë. Nuk do të ketë tatime të reja dhe nuk do të ketë rritje të tatimeve ekzistuese, por do të ketë rritje mbi bazën e zhvillimit ekonomik, duke mbyllur hendekun në luftimin e ekonomisë jo formale dhe duke rritur diciplinën në administratën taksambledhëse për të qenë më efikase në mbledhjen e të hyrave.

 Për këtë arsye të hyrat e përgjithshme buxhetore pritet të rriten mesatarisht me 5.3% përgjatë periudhës afat-mesme. Duke u bazuar në këto supozime, të hyrat e përgjithshme buxhetore  në vitin 2020 pritet të jenë në vlerë prej 2 miliardë e 60 milionë euro, ndërsa deri në fund të vitit 2022, ato pritet të arrijnë shumën prej 2 miliardë e 276 milionë euro.

Të hyrat nga tatimet indirekte pritet të rriten rreth 5.2% në periudhën afatmesme. Në anën tjetër, të hyrat nga tatimet direkte pritet të rriten mesatarisht rreth 6.4% në periudhën afatmesme.

Çka është shumë e rëndësishme vazhdojmë ta mbajmë përqindjen e lartë të shpenzimeve kapitale.  Shpenzimet kapitale - përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të shpenzimeve të përgjithshme dhe pritet të përfaqësojnë rreth 32.4% të shpenzimeve totale.

Dokumenti i Kornizës Afatmesme të Shpenzimeve 2020-2022 adreson edhe nevojat e reformës së administratës publike.

Gjithashtu, janë planifikuar fonde për zhvillimin e Ushtrisë së Kosovës si dhe janë rritur fondet për adresimin e kërkesave tjera si në shëndetësi, arsim, mirëmbajtje të infrastrukturës  dhe misionet diplomatike.

Natyrisht, rritje më e lartë buxhetore është planifikuar të jetë për sektorët me prioritet të qeverisë, siç janë Shëndetësia, Arsimi, Infrastruktura e kështu me radhë.

Më saktësisht:

  • Në sektorin e arsimit kemi rritje të fondeve nga 110.8 milionë euro në 2019, në 117.2 milionë euro në 2022 (ndërsa nëse përfshijmë edhe nivelin komunal kjo vlerë arrin në 324.8 milionë euro);
  • Sektorin e shëndetësisë nga 169.7 milionë euro në 2019 në 197.6 milionë euro në 2022 (duke përfshirë edhe nivelin komunal kjo vlerë arrin në 264.3 milionë euro),
  • Sektorin e mbrojtjes nga 58.69 në 209 në 78.81 milionë euro në 2022;
  • Sektorin e rendit, ligjit dhe sigurisë publike nga 203.9 milionë euro në 2019 në 230.2 në milionë euro në 2022;
  • Sektorin e çështjeve ekonomike nga 445.9 milionë euro në 2019 në 488.6 milionë  euro në 2022;
  • Sektorin e mjedisit nga 55.2 milionë euro në 2019 në 95.7 milionë euro në 2022.

Sa i përket financimit të qeverisjes komunale si rezultat i të hyrave në rritje, vlera e Grantit të përgjithshëm është rritur nga 180.7 milionë euro në vitin 2019, në 219.4 milion euro në vitin 2022, një rritje prej mbi 21.4%. Rritje është planifikuar të ketë edhe në të dy Grantet specifike.

Pjesë e kësaj kornize është edhe buxheti komunal për periudhën 2020-2022, që është miratuar në Komisionin e Granteve më 23 prill 2019. Vetëm vitin e ardhshëm, buxheti komunal rritet për 25.69 milionë euro.

Ky dokument po ashtu paraqet prioritizimin dhe realizimin e objektivave kryesore të Programit Qeverisës.

  • Këto prioritete përfshijnë:
  • Arsimin, Punësimin dhe Shëndetësinë;
  • Qeverisjen e Mirë dhe Sundimin e Ligjit;
  • Industritë konkurruese;
  • Infrastrukturën dhe Ambientin,
  • Integrimin Evropian, politikën e jashtme dhe çështjet e sigurisë.