Ministri

 

                                          

 

 

           BESNIK BISLIMI

   Ministër i Financave dhe Transfereve

 

 

 

 

 

 

Besnik Bislimi - ministër i Ministrisë së Financave dhe Transfereve u lind më 19.05.1971 në Bukovik, Gjilan. Ai është i martuar, baba i një vajze dhe jeton në Prishtinë.  

 

Gjatë periudhës prej 1990 deri më 1994 ka studiuar Analizën Makroekonomike në Universitetin e Zagrebit. I mbaroi studimet e doktoratës në Makroekonomi në Freiburg të Gjermanisë, duke u përqendruar në politikat fiskale dhe tranzicionin drejt ekonomisë së tregut.  

 

Përmes programit të bursave Fulbright, ndoqi studimet e pasdoktoratës në Universitetin Shtetëror të Xhorxhisë, Atlanta, SH.B.A, në shkollën Andrew Young për Studime të Politikave, duke u përqendruar në decentralizimin fiskal asimetrik. Që nga viti 2004 është pjesë e Universitetit Amerikan në Kosovë (RIT Kosova), duke ligjëruar lëndët e Makroekonomisë, Mikroekonomisë, Politikave Monetare dhe Ekonomisë së Tregut të Punës. Para kësaj ai ka punuar në Universitetin e Freiberg, Gjermani, si studiues dhe profesor asistent i makroekonomisë dhe financave publike. Ka ligjëruar Makroekonominë 1 dhe 2 në Akademinë Rajonale të Kredive në Veles, Maqedoni e Veriut, për gjashtë vjet me radhë. Për tre vjet që nga 2001 deri në 2003, po ashtu ka mbështetur Universitetin e Prishtinës me programe të Paktit të Stabilitetit, DAAD dhe WUS Austria, duke ligjëruar ”Makroekonomi për vendet në zhvillim” si dhe ”Financat publike në vendet në zhvillim”.

 

Besniku ka shërbyer si këshilltar i politikave fiskale për UNDP brenda një projekti të CBF; ka shërbyer si këshilltar në disa projekte të GIZ-it; ka punuar si ekspert i financave publike për zyrën e FAO në Kosovë; këshilltar, studiues, mbështetës dhe ekspert në projekte si: HLSP, Helvetas, OECD, Bertelsman Fondacion.

 

Që nga viti 2010 është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, ku e ka udhëhequr Komisionin e financave. Në dhjetor të vitit 2013 shërbeu si ushtrues detyre i drejtorit të financave dhe pronës në komunën e Prishtinës. Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2014 ai u zgjodh deputet i Parlamentit të Kosovës, ku e udhëhoqi Komisionin për mbikëqyrjen e financave publike. Që nga viti 2018 e mban pozitën e Nënkryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje.  

 

Ka njohuri për politikat fiskale dhe monetare; politikat e tregut të punës, decentralizimin fiskal, borxhin publik, privatizimin dhe kundër-korrupsionin.