Lajmet

Kosova dhe Austria nënshkruajnë katër marrëveshje për projektet për ujë të pijes dhe trajtim të ujërave të zeza

27/11/2018

Në kuadër të programit për kredi të buta me Qeverinë e Austrisë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ministri i Financave Bedri Hamza së bashku me përfaqësuesit e Bankave Unicredit dhe Raiffaisen që veprojnë në emër të Qeverisë së Austrisë, sot nënshkruan katër marrëveshje kredie për financim të projekteve për:

- “Ndërtimin e Skemës për Furnizim me Ujë në Komunën e Ferizajt”, vlera e marrëveshjes 5.125 milionë euro,
- “Ndërtimin e Skemës për Furnizim me Ujë në Komunën e Graçanicës”, vlera e marrëveshjes 5,115,108 milionë euro,
- “Ndërtimin e Skemës për Furnizim me Ujë në Komunën e Istogut”, vlera e marrëveshjes 5,094,246 milionë euro, dhe
- “Trajtimi i Ujërave të Zeza në komunën e Shtimes” vlera e marrëveshjes 2.385 milionë euro.
Gjatës ceremonisë së nënshkrimit Ministri Hamza theksoi rëndësinë e nënshkrimit të këtyre marrëveshjeve për përmirësimin e jetës së qytetarëve në komunat përfituese. Ai gjithashtu tha se me nënshkrimin e këtyre marrëveshjeve plotësohet hapësira për financim e krijuar me Marrëveshjen për Bashkëpunim Financiar me Qeverinë Austriake.
Ministri Hamza shprehi edhe një herë gatishmërinë e Ministrisë së Financave për sigurim të financimit për projekte të ngjashme me benefit për qytetarët e Kosovës, qoftë në nivelin qendror apo atë lokal.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e dy Bankave falënderuan Ministrin Hamza për kontributin e dhënë në përfundimin e suksesshëm të negociatave për finalizimin e këtyre marrëveshjeve duke theksuar kështu përkushtimin që këto projekte të implementohen sa më parë nga katër komunat përfituese.
Vlen të theksohet se muaj më parë nga ky program përfitoi edhe komuna e Podujevës, për të cilën u nënshkrua marrëveshja financiare për financimin e projektit “Sistemi për mënjanimin e ujërave të zeza për Komunën e Podujevës”.