Lajmet

MF dhe BB mbajnë tryezë diskutimi me ministritë dhe agjencitë e linjës për rishikimin e portfolios kreditore të projekteve me financim përmes huamarrjes

19/11/2018

Ministria e Financave dhe Banka Botërore, organizuan sot tryezë diskutimi me të gjitha ministritë dhe agjencitë e linjës për rishikimin e portfolios kreditore të projekteve me financim përmes huamarrjes.

Qëllimi i kësaj tryeze ishte që të diskutohet në baza të rregullta progresi i implementimit të projekteve me financim kreditor të Bankës Botërore, sfidat dhe adresimi për të ardhmen dhe kjo gjithmonë me objektiven për implementim sa më efektiv dhe efikas të të gjitha projekteve në fjalë.

Me këtë rast ministri i Financave Bedri Hamza, theksoi se projektet me financim përmes huamarrjes/kredive shtetërore bartin koston e tyre financiare mbi shumën e shpenzuar e që është interesi, por edhe tarifa tjera të aplikueshme mbi shumën e pa tërhequr. Sipas Ministri Hamza, implementimi me kohë i projekteve kursen buxhetin e Kosovës në njërën anë dhe në të njëjtën kohë implementimi efikas i tyre kontribuon në rritjen ekonomike në vend.

Ministri Bedri Hamza gjithashtu kërkoj nga të gjitha ministritë implementuese të projekteve dinamizëm më të shtuar në procesin e implementimit të projekteve dhe përkushtim më të madh në shpenzimin transparent dhe efektiv të fondeve të huamarrjes.

“Implementimi me kohë i projekteve aktuale krijon mundësi të reja për Ministrinë e Financave që ndaj Bankës Botërore të kërkojë fonde shtesë me kushte të favorshme kreditore dhe financojë projekte tjera zhvillimore për Kosovën”, shtoi Ministri Hamza.

Shefi i Zyrës së Bankës Botërore në Kosovë Marco Mantovanelli duke falënderuar Ministrin Hamza për bashkëpunimin dhe zotimin e tij ndaj Bankës Botërore, në fjalën e tij rikonfirmoi se përkrahja e Bankës Botërore për Kosovën do të vazhdojë dhe theksoi nevojën për implementim më efektiv dhe më efikas të projekteve të financuara nga Banka Botërore.