Lajmet

Departamenti i Politikave Ekonomike, Publike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Financiar mban ligjëratë mbi stabilitetin makro-fiskal në Kolegjin Riinvest

15/12/2021

Departamenti i Politikave Ekonomike, Publike dhe Bashkëpunim Ndërkombëtar Financiar - Divizioni i Makroekonomisë ka mbajtur sot ligjëratë me studentët e Kolegjit Riinvest në Kosovë, me temën “Menaxhimi i Financave Publike dhe Stabiliteti Makroekonomik në Kosovë.”

Ligjërata është mbajtur për studentët e lëndës së Politikave dhe Financave Publike, me ç’rast udhëheqësja e divizionit, Esida Bujupi ka bërë prezantimin mbi rolin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, konkretisht të Divizionit të Makroekonomisë në sigurimin e stabilitetit makro-fiskal dhe ruajtjen e rregullave fiskale përgjatë hartimit të buxhetit, si dhe për performancën e ekonomisë përgjatë 2020 dhe 2021.

Studentët pjesëmarrës në këtë ligjëratë bashkë me ligjëruesen diskutuan për sfidat në planifikimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e financave publike, rëndësinë e stabilitetit makroekonomik si dhe përmirësimin e transparencës fiskale. Ata gjithashtu u pajtuan se pandemia ka krijuar sfida domethënëse fiskale, por se financat e qëndrueshme publike janë thelbësore për një rimëkëmbje ekonomike pas pandemisë.

Ligjërata e mbajtur në Kolegjin Riinvest është organizuar nga Kolegji Riinvest dhe Divizioni i Makroekonomisë në Ministrinë e Financave, Punës dhe Transfereve mbështetur nga Programi i USAID për Qeverisje Ekonomike në Kosovë.

Që nga qershori i këtij viti, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka filluar të mbajë ligjerata në universitetet private dhe publike në Kosovë për të zgjeruar njohuritë e ekonomistëve të ardhshëm si dhe për të rritur ndërveprimin e politikëbërjes publike me akademinë.