Lajmet

Pritje shumë optimiste në tendencën e të bërit biznes

13/05/2017

Hulumtimi i Indikatorëve matës i tendencës së biznesit për tremujorin e parë të viti 2017 shprehin pritje shumë optimiste, vlerësoi kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliu.

Gjatë prezantimit të rezultateve të hulumtimit sipas metodave të  IFO institutit gjerman nga Mynihu dhe i përkrahur nga GIZ-i Gjerman, në të cilin morën pjesë edhe ministrat në detyrë të financave, Avdullah Hoti, tregtisë e Industrisë, Hykmete Bajrami dhe punës dhe mirëqenies sociale, Arban Abrashi u theksua se gjendja e përgjithshme e bizneseve në Kosovë këtë tremujorë, është vlerësuar të jetë mjaft pozitive për të gjithë sektorët.

Duke prezantuar rezultatet e hulumtimit, kryetari Gërxhaliu tha se gjendja aktuale në përqindje është e njëjte me TM paraprak, e manifestuar me një rritje të lehtë të pritshmërisë të bizneseve për gjendjen aktuale. Rreth 85 për qind e bizneseve vlerësojnë gjendje të kënaqshme; ndërsa 15% si gjendje e pakënaqshme e aktivitetit të tyre biznesor.

Pritjet për punësim janë tej mase pozitive në këtë tremujorë. Punësimi prezantohet në nivelin më të lartë të pritshmërive krahasuar me të gjithë tremujorët në këto katër vitet e fundit. Punësimi duket që do të përjetojë periudhën më të mirë në këto vitet e fundit.   

Sektori i prodhimit ka tregtuar një gjendje më të mirë të biznesit në këtë tremujorë, pasuar nga sektori i ndërtimit. Pritjet më të larta për punësim i kanë sektori i ndërtimit (56%) dhe ai i prodhimit (55%); pritje pak më të zbehta në punësim ka sektori i tregtisë me pakicë (29%).

Pritjet për të ardhmen janë optimiste për të gjithë sektorët.

Pritjet më me ndikim vijnë nga sektori i prodhimit dhe shërbimeve. Nga ana tjetër, sektori i tregtisë me pakicë dhe ai i tregtisë me shumicë kanë pritje pak më të zbehta krahasuar me sektorët tjerë. Sidoqoftë, pritjet janë shumë optimiste.

Indikatori i konfidencës ka shënuar një rritje prej 15.8 % këtë tremujorë. Besimi i bizneseve u rrit konsiderueshëm shumë. Konfidenca e bizneseve në këtë periudhë është 21.3.

Barrierat kryesore janë vlerësuar mungesa e mjeteve financiare, kamata e larta bankare, ngecjen në pagesën me kohë të obligimeve nga ana e konsumatorëve dhe mos liberalizimi i vizave i cili është duke ndikuar në mënyrë shumë negative në të bërit biznes.

Ndryshe mostra e këtij hulumtimi për tremujorin e parë të vitit 2017 ishin 502 ndërmarrje nga katër sektor - Tregti (shumicë dhe pakicë ndaras); Prodhim (përpunimi i ushqimit; reciklimi; përpunimi i drurit, metaleve dhe materialit ndërtimor);Ndërtimtari; dhe Shërbime (transporti, sherbime profesionale dhe hoteleri).

Mostra e kompanive është nxjerrë nga databaza e Adminstratës Tatimore të Kosovës dhe e shpërndarë në tërë Kosovën dhe në tri grupe sipas madhësisë dhe numrit të te punësuarit (0-9; 10-49; 50 e më shumë).

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë në detyrë , Hykmete Bajrami vlerësoi lartë rezultatet e këtyre hulumtimeve të cilat, siç tha ajo kanë pas ndikimin edhe në politikë bërjen në lëmin e të bërit biznes, duke theksuar se bashkëpunimi me OEK-un dhe komunitetin e biznesit ka krijuar standarde të larta të cilat askush nuk do të mund ti anashkalon.

Ajo vlerësoi se indikatorët pozitiv në këtë tremujor janë shprehje e punës së bërë në institucionet e vendit dhe se të njëjtat janë vlerësuar lartë nga institucionet relevante ndërkombëtare siç janë Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe institucionet tjera ndërkombëtare.

Ministri i Financave, Avdullah Hoti  theksoi se bashkëpunimi me Odën dhe komunitetin e biznesit ia ka bërë të mundur ministrisë në krye të së cilës është që të njoftohen nga dora e parë me nevojat dhe shqetësimet e komunitetit të biznesit.

Kjo sipas tij ka kontribuar në përmirësimin e dukshëm të ambientit të te bërit biznes dhe njëkohësisht ka ndikuar edhe në besim shumë më të madhe të Qeverisë, krahasuar me periudhën e vitit 2014, pasi që siç tregon hulumtimi është përgjysmuar numri i bizneseve të pakënaqura me punën e Qeverisë.

Ministri Hoti ka përmend rezultatet pozitive të cilat i ka dhënë pakoja fiskale një duke theksuar se për shkak të lirimeve doganore në buxhet janë inkasuar 47 milion euro më pak, por njëkohësisht në periudhën 2014 -1016 janë inkasuar 400 milion euro më tepër të hyra buxhetore.

Ai tha se pakoja e dytë fiskale është përfunduar deri në imtësi, duke llogaritur edhe projektet për ndryshimet dhe plotësimet e ligjeve dhe udhëzimeve administrative, për implementimin e pakos dhe se për fat të keq nuk ka mundur me u aprovua në Qeveri.

Arban Abrashi, ministër në detyrë i punës dhe mirëqenies sociale pasi që vlerësoi lartë bashkëpunimin me komunitetin e biznesit e veçanërisht me OEK-un tha se ka diskrapancë në mes të kërkesave të tregut të punës dhe ofertës së ekspertëve që i ofron sistemi arsimor në vend.

Sipas tij për periudhën 2014 / 2017  numri i atyre që paguajnë taksat për punësim, me emër dhe mbiemër është shtuar për 41 mijë veta.

Ai tha se vlerësimi shumë pozitiv mbi pritshmëritë në punësim krahasuar me të gjithë tremujorët në këto katër vitet e fundit i shprehur në këtë hulumtim është real dhe se sipas të gjitha gjasave në periudhën e ardhshme do të përjetojë periudhën më të mirë në këto vitet e fundit.