Lajmet

Diskutohet për mundësinë e një programi të ri me FMN-në dhe për pakon fiskale 2.0

21/04/2017

Ministri i Financave Avdullah Hoti, së bashku me Guvernatorin e Bankës Qendrore të Kosovës Bedri Hamza dhe delegacionin e Kosovës, gjatë vizitës në Uashington u takuan me Zëvendëspresidentin e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Tao Zhang, me Drejtorin e Departamentit për Evropë në FMN Paul Thomson, si dhe Drejtoreshën Ekzekutive të Konstituencës së Kosovës Michaela Erbenova.

Në të gjitha takimet, zyrtarët e Fondit Monetar Ndërkombëtar përgëzuan Ministrinë e Financave dhe Bankën Qendrore  të Kosovës për implementimin me sukses të të gjitha reformave që lidhen me rishkimin e dytë dhe të tretë të programit.

Gjatë takimit gjithashtu u bë e ditur se për të përmbyllur me sukses këtë program janë edhe dy masa që duhet të ndërmerren nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës,  riklasifikimi i veteranëve të luftës sipas Ligjit të ri, si dhe amandamentimi i Ligjit për invalidët e luftës.

Ministri Avdullah Hoti prezantoi idenë e nisjes së një programi të me FMN-në pasi të përmbyllet programi ekzistues. Ky program i ri do të ishte shumë i rëndësishëm për të ruajtur rezultatet e mira që janë arritur në zhvillim ekonomik dhe punësim dhe stabilizim të buxhetit, si dhe për të thelluar më tutje reformat ekonomike dhe sociale. Me këtë rast, zyrtarët e FMN-së ishin të hapur për këtë mundësi, duke u pajtuar që diskutimet të vazhdojnë në Prishtinë.

 Gjatë këtyre takimeve në veçanti u diskutua pakoja e re fiskale, për të cilën Qeveria ka punuar intenzivisht në muajt e fundit. Gjatë diskutimit Ministri Hoti theksoj rëndësinë e kësaj reforme në avancimin e kushteve të të bërit biznes në Kosovë, si dhe promovimin e punësimit dhe prodhimit vendor.

Në ditët në vijim, delegacioni i Kosovës do të ketë takime me zyrtarë të lartë të Bankës Botërore.